Përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të SHSSH


Përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të SHSSH, 12 Drejtorive Rajonale të saj dhe 11 Institucioneve të Përkujdesit në varësi të SHSSH u mblodhën në Vlorë për të analizuar aktivitetin një vjecar të këtij institucioni. Në Analizë morri pjesë Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë z. Blendi Klosi, drejtues të Institucioneve të Përkujdesit që menaxhohen nga Bashkitë, si dhe drejtues e përfaqësues të organizatave partnere të SHSSH.
“Nuk është e lehtë të analizosh në pak kohë akvititetin një vjeçar të një institucioni dinamik si Shërbimi Social Shtetëror. Dinamik për nga gjerësia e fushës së veprimit të tij dhe sfidues për shkak të kompleksitetit të vetë problemeve sociale që bartin familje dhe individë përfitues të këtyre shërbimeve. SHSSH është institucioni ku po jetësohen tre reformat ë rëndësishme të MMSR: ndihmës ekonomike, aftësisë së kufizuar dhe shërbimeve shoqërore”, theksoi në fillim të prezantimit të punës një vjeçare të SHSSH Drejtoresha e Përgjithshme e këtij institucioni Znj. Etleva Bisha.
Në emër të institucionit që drejton znj. Bisha në një analizë krahasuese me vitin 2013 prezantoi gjerësisht 22 arritjet e vitit 2016 në të tre drejtimet kryesore të punës së SHSSH, në përputhje me objektivat dhe aktivitetet e parashikuara në Planin e Veprimit të 2016. Pjesë e prezantimit të saj ishin gjithashtu edhe problematikat e konstatuara në secilin prej tre sektorëve, të cilat përbëjnë edhe sfidat në vijim për t’u kapërcyer nga ky institucion.
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi, duke vlerësuar punën e SHSSH gjatë vitit 2016 në fjalën e tij ndër të tjera theksoi: “Dua të falenderoj të gjithë stafin e SHSSH për përkushtimin e treguar në këto 3 vjet dhe për punën e palodhur. Ne duam të ofrojmë shërbime cilësore për njerëzit më në nevojë, për më të varfërit e më të varfërve, ndaj MMRS është e përkushtuar për të rritur mirëqenien e shqiptarëve, dhe këtij angazhimi i shërbejnë paktet sociale që po nënshkruajmë me të gjitha bashkitë e vendit.”
Duke artikuluar qartësisht vizionin e MMSR për përmbushjen e tre objektivave madhore të reformave të ndihmës ekonomike, aftësisë së kufizuar dhe shërbimeve shoqërore, Ministri Klosi theksoi se:
“Sfidat që kemi përpara janë të mëdha dhe kërkojnë angazhimin e ju të gjithëve. Reformat që kemi ndërmarrë për modernizimin e skemës së ndihmës ekonomike, pagesave të aftësisë së kufizuar apo shërbimeve shoqërore janë prioritet i Qeverisë Shqiptare dhe MMSR, dhe bashkë me Shërbimin Social Shtetëror do t’i implementojmë në mënyrën e duhur”.


Pas diskutimeve të pjesëmarrësve u prezantuan objektivat dhe prioritetet e SHSSH, të cilat janë baza e Planit të Veprimit 2017 miratuar në muajin janar e që po ndiqen e zbatohen nga të gjitha institucionet e SHSSH.

Comments