Disa informacione te rendesishme

1. Një përshkrim i shkurtër
Vlora në Shqipëri, është porti i dytë për nga madhësia dhe ka një histori për të treguar, një histori të mbushur me  tregti dhe det, me fitore dhe rrethime, me mbretëri  dhe qeverisje që kanë ndjekur njëra tjetrën deri në ditët tona. Por ky qytet ka ditur të ruajë gjithmonë një shenjë dalluese, atë të famës dhe të mikpritjes. Si  çdo port tjetër antik, Vlora është krenare për identitetin e saj: një urë mes Italisë dhe botës bizantine-otomane, por Vlora qe edhe qyteti nga ku u shpall pavarësia e Shqipërisë në 1912. Klima e butë, ditët e shumta me diell (më shumë se 250) gjatë vitit, dhe bukuritë natyrore të gjirit të saj e bëjnë atë një destinacion turistik natyror. Do të jetë e lehtë të gjesh një hotel në Vlorë që të kënaqë edhe turistin më kërkues.
2. Pozita Gjeografike
Bregdeti Vlonjat shtrihet në pjesën jug-perëndimore të Shqipërisë, pikërisht aty ku bashkohen dy dete: pjesa më jugore e detit Adriatik me atë veriore të detit Jon. Vlora nëpërmjet kanalit të Otrantos është pika më e afërt e Shqipërisë me bregdetin italian, vetëm 72 km. Vlora është ndër rrethet me gjatësinë më të madhe të vijës bregdetare, që shkon nga grykëderdhja e lumit Vjosa në veri deri në Qeparo në Jug.
3. Si të mbërrini
Nëpërmjet Ajrit: Ju mund të vini në Vlorë nëpërmjet aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, të Rinasit.135 km.
Nëpërmjet Detit: Vlora është port detar ku mbërrijnë shumë tragete të linjave Vlorë – Brindisi, Vlorë – Bari, Vlorë – Igumenicë, Vlorë – Korfuz.
Nëpërmjet Tokës: 1. Nëse vini nga veriu, verilindja dhe Tirana, duhet të kaloni nga Durrësi, për të vazhduar në aksin Rrogozhinë – Lushnjë – Fier – Vlorë. Distancat që duhet të dini: Shkodër – Vlorë (246 km), Tiranë – Vlorë (135 km), Durrës – Vlorë (118 km), Fier – Vlorë (34 km).
2. Nëse vini nga Greqia në rrugë tokësore mund të zgjidhni për të kaluar nga pikat kufitare të Kakavijës, Tri Urave (afër Përmetit) ose Qafë Botës (në skajin jugor të vendit). Distancat që duhet të dini: Kakavijë – Vlorë (164 km), Sarandë – Vlorë (133 km).3. Nëse vini nga Shqipëria lindore, Maqedonia ose Greqia veriore (pika kufitare e Kapshticës), atëherë mund të kaloni nga Elbasani, Rrogozhina dhe Fieri, ose të kaloni nga Korça, Erseka, Leskoviku, Përmeti, gryka e Këlcyrës, Tepelena, Ballshi dhe Fieri. Distancat që duhet të dini: Qafë Thanë-Vlorë (268 km), Korçë – Vlorë (251 km).
4. Historia
Vlora është një nga vendet më të pasura me histori në Shqipëri. Krahina është banuar që në periudhën antike. Gjurmët e para datojnë në  shek. VI para Krishtit. Në këtë periudhë u ngritën në gjirin e Vlorës katër qytete antikë: Orikumi, Thronioni (Kanina), Triporti dhe Aulona. Secili prej këtyre qyteteve ka historinë e vetë të lindjes, lulëzimit dhe rënies. Dhe të tërë së bashku dëshmojnë historinë e lashtë të qytetërimit antik të trevës së Vlorës. Gjurmët më të lashta të qytetërimit i përkasin Orikumit të sotëm, i cili ruan ende brenda tij rrënojat e vjetra të qytetit, i cili luajti një rol tepër të rëndësishëm në luftën civile mes Çezarit dhe Pompeit. Si fillim atë e mbante Pompei si stacion për flotën e tij ushtarake, por më pas, në janar të vitit 48 para Krishtit, u pushtua nga Cezari. Qyteti duket se ka pasur një zhvillim relativisht të rëndësishëm ekonomik përderisa monedhat e tij të para janë prerë që në shekullin III para Krishtit. Në kohën bizantine dhe më pas gjatë Mesjetës Orikumi përmendet me emrin Jeriko. Në kohën e pushtimit osman, në fillimin e shekullit XV, turqit e pagëzuan qytetin me emrin Pashaliman, emër që përdoret nga banorët vendas shumë shpesh edhe në kohën e sotme. Aulona e dikurshme dhe Vlora e sotme është qendra më e rëndësishme qytetare, tregtare dhe turistike e bregdetit jugperëndimor të Shqipërisë. Ngjarja më e rëndësishme historike për Vlorën dhe gjithë Shqipërinë është Shpallja e Pavarësisë më 28 nëntor 1912, kur patrioti Ismail Qemali do të ngrinte në Vlorë flamurin kombëtar dhe do të krijonte qeverinë e përkohshme. Gjatë luftërave të shumta, Vlora ka luajtur rol vendimtar në ruajtjen e kufijve tokësorë dhe detarë. Veçanërisht kujtohet Lufta Vlorës e vitit 1920, e cila përfaqëson një nga qëndresat më të forta të shqiptarëve kundër pushtuesve italianë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore Vlora do të shndërrohej në njërën ndër vatrat më të rëndësishme të Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare. 15 tetori 1944 është dita e çlirimit të Vlorës nga trupat gjermane. Në vitin 1990 populli i Vlorës do të kontribuonte në rrëzimin e diktaturës. Që nga ajo kohë e deri më sot Vlora ka njohur zhvillime shumë të rëndësishme dhe të shpejta në shumë drejtime, ku turizmi qëndron në pararojë.
5. Popullsia, Besimi, Ekonomia
Popullsia: Në gjithë rrethin e Vlorës jetojnë rreth 230 mijë banorë, të përqendruar në katër qytete dhe nëntë komuna. Pjesa më e madhe e popullsisë, përfshi këtu edhe qytetin e Vlorës me rreth 120 mijë banorë, është përqendruar përgjatë bregdetit vlonjat.
Besimi: Vlora dallohet për bashkëjetesën e besimeve të ndryshme fetare. Popullsia është e ndarë në myslimanë, bektashinj dhe të krishterë ortodoksë.
Ekonomia: Vlora renditet në qendrat më të rëndësishme ekonomike, tregtare dhe turistike të vendit. Vlen të veçohen sektorë të tillë si turizmi, transporti, ekonomia bujqësore.
6. Tradita dhe Zakone
Veshjet Popullore: Fustani është veshja e vjetër e gruas në Labëri, më vonë u përdorën edhe çitjanet. Veshja e vjetër e burrit karakterizohet nga këmisha e gjatë, fustanella, tirqet,  të gjata ose të shkurtra, poturet, qëllotat si dhe qylafi i bardhë me thumb në majë. Për këpucët fillimisht ishin opingat e lopës apo ato me shollë të regjur, me xhufka, etj.
Këngët dhe vallet: Krejt origjinale dhe me rrënjë në lashtësinë e vonë ilire vjen polifonia labe si më konservativja e gjithë trojeve shqiptare. Si pjesë e muzikës popullore shqiptare ajo karakterizohet nga mbivendosja e dy a më shumë vijave melodike vokale apo instrumentale në të cilat zhvillimi kryhet me kontrapunkte (horizontalisht) dhe harmonizime (vertikalisht). Ekzekutohet në grupe të veçanta burrash e grash por edhe të përziera. Më rrallë shoqërohet edhe me saze. Polifonia labe eshte isopolifoni, ku të gjithë burrat ose gratë bëjne eeeeeee!!!!! Kjo “e”  e zgjatur eshte isoja. Këngët trezërëshe, karakteristike për polifoninë labe, kane dy solistë, “marrësin” (udheheqësin e grupit) dhe “mbajtësin” ose pritësin” a “kthyesin” etj. Grupi mban iso, “mban zë”, “ia mbush” etj. sipas emertimit popullor. Kënga polifonike labe shoqërohet edhe me valle të burrave dhe grave.
Gatimet: Kuzhina e zonës së Vlorës është një kuzhinë tipike e zonave malore, por njëkohësisht dhe bregdetare. Në të përdoren prodhime të freskëta blegtorale të kopeve të dhirta dhe të të leshtave që rriten nëpër malet buzë detit me barin gjithnjë të njomë dhe erën e detit. Një tjetër karakteristikë e kuzhinës vlonjate janë pjatat me prodhimet e detit, peshk, midhje, karkaleca deti, aragosta etj. Pijet më tipike të Vlorës janë rakia si dhe dhalla shumë e shijshme produkt i kosit shumë cilësor.
7. Vende për tu vizituar

Çfarë mund të vizitoni

Muzeu Historik ndodhet në qendër të qytetit, në një godinë karakteristike vlonjate. I ndërtuar në vitin 1962, në të janë ekspozuar qindra objekte origjinale, të cilat përfaqësojnë dhe pasqyrojnë periudha të ndryshme historike, që fillojnë nga antikiteti dhe vazhdojnë deri në ditët tona. Kështu gjenden në muze shumë objekte arkeologjike që u përkasin qyteteve të ndryshme antike të rrethit të Vlorës, si: Orikut, Amantias, Ploçës, Olimpias, Kaninës etj. Muzeu është i hapur çdo ditë nga e Hëna deri të Dielën Orari: 08:00 – 14:00. Tel: 033 223 534 Bileta: 50 lek / 100 lek për të huaj. Ciceroni: Nga ora 10:00-12:00 (E Martë, Enjte, Shtunë, Diel).
Muzeu i Pavarësisë është ndërtuar në Skelë që në vitin 1936, pikërisht në godinën ku më 28 nëntor 1912 Shqipëria u shpall e pavarur nëpërmjet ngritjes së flamurit kombëtar dhe ku në vitet 1912–1914 kreu veprimtarinë e saj Qeveria e Përkohshme e Vlorës. Ky muze ka qenë shtëpia e Eqerem bej Vlorës. Muzeu ka tetë ambiente, në të cilat janë vendosur fotografi, objekte e vepra të ndryshme arti, në të cilat pasqyrohen përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe pavarësi. Veçanërisht interesante janë ambjentet ku punoi kryeministri i parë shqiptar, Ismail Qemali, salla e mbledhjeve të qeverisë së tij, dorëshkrimet e lëna, flamuri, aparati fotografik i vitit 1912, armët etj. Çdo gjë në këtë godinë është e vjetër sa dhe vetë historia e saj 150-vjeçare. Orari i vizitave: E martë-E diel, Pushim: E hënë 8:00 – 13:00  dhe 17:00 – 20:00 Bileta: 100 lekë.  Adresa: Sheshi “Pavarësia”, Tel: 033 229 419.
Pashalimani i vendosur në gjirin e Vlorës rreth 150 km nga Tirana, është ndër portet shqiptarë më të vjetër. Ai daton që në kohën e Perandorisë Romake. Ishte port ushtarak edhe gjatë sundimit osman i shërbeu Bashkimit Sovjetik si baza e vetme ushtarake në Adriatik para prishjes së marrëdhënieve shqiptaro-ruse në vitin 1961. Nga kjo periudhë në bazë kanë mbetur vetëm 4 nëndetëse aktualisht jashtë funksionit. Ngjarjet sovjeto-shqiptare të Pashalimanit janë pasqyruar gjerësisht në një nga romanet më të njohura të shkrimtarit të shquar Ismail Kadare,  “Dimri i vetmisë së madhe”.
Shpella e Shkruar e Lepenicës: Gjendet mbi fshatin Lepenicë, në rrëzë të malit, në lartësinë 800 metra mbi nivelin e detit. Pikturat e kësaj shpelle janë përfaqësuese të artit post-paleolitik, i njohur si më i vjetri në të gjithë Evropën. Në shpellë gjenden 19 figura antropomorfe dhe 8 piktura gjeometrike. Në qendër të saj është figura e një njeriu, që tregon një kult, një nderim ndaj njeriut. Mendohet se kjo pikturë i përket fundit të mijëvjeçarit III p.e.s. Për të shkuar deri atje duhet të keni këmbë të forta. Nëse kini mundësi, më mirë të merrni ndonjë mushkë te fshatarët.

Itinerare

Vlorë-Radhimë-Orikum Menjëherë pasi të lini qytetin e Vlorës, në pjesën jugore të tij do të shfaqet para jush zona bregdetare e Ujit të Ftohtë. Bregdeti këtu fillon e bëhet shkëmbor dhe mali me detin bëhen një. Përgjatë kësaj zone, në një gjatësi prej rreth 2 km deri në Jonufër, dalin afro 40 burime nëntokësore. Këto janë ujëra tipike karstike, që formohen në brendësi të territorit apo në tabanin e detit dhe dalin përgjatë gjithë gjatësisë se bregdetit, duke filluar me atë të Ujit të Ftohtë në hyrje të tunelit me të njëjtin emër e që vazhdojnë deri në Jonufër. Duke shfrytëzuar këto kushte shumë të përshtatshme natyrore, kjo zonë ka qenë gjithmonë zona më e parapëlqyer për të pushuar në Vlorë dhe krahas vilave e shtëpive të dikurshme të pushimit janë ndërtuar këtu vitet e fundit shumë lokale, restorante e hotele në shërbim të turizmit. Pasi të keni kaluar Jonufrën, një zonë e gjerë e mbjellë me ullinj dhe agrume, bregdeti fillon përsëri të zgjerohet, dhe para jush do të shfaqet zona e Radhimës dhe e Orikumit. Uji i pastër, plazhet zallore, me ngjyrën e tyre karakteristike të bardhë, peizazhi natyror shumë i bukur buzë detit me malet që ngrihen mbi kokë, qetësia larg qytetit etj, janë motive që kanë tërhequr shumë pushues në këtë zonë. Mund të thuhet që ajo është sot zona më e pëlqyeshme dhe më e frekuentuar për të kaluar pushimet në Gjirin e Vlorës. Në fund të rrugës do të mbërrini në qytetin e Orikumit. Ky qytet ka një histori të gjatë, por dy gjëra do t’u bëjnë përshtypje: bumi i madh i ndërtimeve turistike dhe disa godina të shpërndara nëpër rrugicat e qytetit që duken si të një kohe tjetër. Janë shtëpitë e drunjta të oficerëve sovjetikë që jetuan këtu deri në 1961, kohën në të cilën Enver Hoxha hyri në kontradikta të thella me Hrushovin. Pikërisht këtu, në bazën e Pashalimanit, ishte pika më e avancuar në Perëndim e Traktatit të Varshavës. Nëse doni të dëgjoni histori dramatike të Luftës së Ftohtë, atëherë kërkoni ndonjë nga ushtarakët e moshuar që kanë mbetur ende në qytet. Vetëm pak metra larg nga qyteti është një plazh i mrekullueshëm. Ia vlen të freskoheni një copë herë në ujin e mrekullueshëm blu.
Llogara-Palasë-Dhërmi-Himarë Llogaraja është Park Kombëtar dhe përfaqëson një nga vendet më të bukura të Shqipërisë. Me sipërfaqen e saj prej 1020 ha, Llogaraja është e mbuluar me gjelbërim të përhershëm. Ajo konsiderohet si një vend klasik i vendosjes së ekuilibrit biologjik midis botës bimore dhe asaj shtazore. Në brendësi të pyjeve të saj gjenden lëndina të bukura, burime të shumta natyrore dhe lloje të ndryshme kafshësh dhe shpendësh. Pikërisht në njërën nga pjesët më të bukura, në zemër të Llogarasë, është ngritur qendra e saj turistike.
Për të shkuar në plazhin e Palasës mos vazhdoni rrugën kryesore, por në urën e parë mbi përrua merrni djathtas në një rrugë dytësore derisa të arrini në plazh. Rruga nuk është e shtruar, por është e kalueshme edhe për makinat e ulëta. Plazhet kryesore të Palasës janë Megalihora dhe Jaliskari. Vetë fshati është i rrethuar nga një kurorë gjigante ullinjsh dhe agrumesh që i jep një imazh të mrekullueshëm.
Poshtë fshatit mund të ecni edhe më këmbë, për pak minuta ndodhet plazhi i Dhërmiut, i cili është ndër më të mëdhenjtë e bregdetit të Jonit. Gjatësia dhe gjerësia, uji dhe rëra e pastër, qetësia dhe gjelbërimi, të gjitha këto krijojnë së bashku kushte ideale për banjë dielli dhe kalimin e pushimeve. Nga Dhërmiu një numër varkash private mund t’ju ofrojnë një kënaqësi tjetër, atë të të vizituarit të Shpellës së Piratëve.
Ca më poshtë do të shihni gjirin e Gjipesë, një plazh i mrekullueshëm me gjerësi afër 20 metra dhe gjatësi 800 metra. Një rast unikal për të shijuar natyrën e virgjër. Nëse vazhdoni ca më tutje, në rrugën kryesore, afër 6 kilometra, një tabelë do t’u sinjalizojë se këtu mund të ktheheni në një plazh tjetër të njohur, në atë të Jalit. Ky plazh është nga më të frekuentuarit këto kohët e fundit. Në të shërben një kompleks turistik i pajisur me të gjithë shërbimet e duhura për pushuesit. Ca më tej, drejt jugut do të mbërrini në Himarë. Kjo është tradicionalisht qendra e krejt krahinës së bregdetit të Jonit. Plazhin e parë në Himarë do ta hasni direkt nën këmbët e kalasë. Ai quhet plazhi i Livadhit. Po në këtë zonë do të mund të shihni edhe manastirin e Athalit. Një vizitë në shpellën e Kardinit do t’ju kujtojë me siguri Homerin dhe aventurat e Odisesë. Himara nuk është gjë tjetër veçse Kimera e përmendur në eposin e lashtë. Më poshtë, drejt jugut, do të hasni në gadishullin e Spillesë, një vend i mrekullueshëm për plazh. Vendi është i mbushur me befasi. Njëra prej tyre është gjiri i Llamanit, një gji i vogël që duket që nga rruga. Me siguri që kureshtja do t’u shtyjë të zbrisni poshtë drejt tij. Më pas vjen një perlë tjetër, gjiri i Porto Palermos. Ky gji ka qenë një nga bazat ushtarake më të rëndësishme gjatë kohës së komunizmit.
Sazan – Karaburun: Një udhëtim shumë i veçantë gjatë qëndrimit në Vlorë do të ishte edhe ai me anije drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit. Udhëtimi zgjat gati një orë dhe nisja për të mund të bëhet nga porti i Vlorës, ose nga limani i vogël në zonën e Plazhit të Ri. Fillimisht mund të udhëtoni drejt ishullit të Sazanit dhe më tej në brigjet e gadishullit të Karaburunit. Lundrimi me anije përreth tyre krijon mundësinë që të vrojtoni peizazhe të bukura dhe unikale, të cilat reflektohen mbi kaltërsinë e sipërfaqes së ujit të detit.

Comments