Gjiri i Vlorës
përfaqëson një ndër zonat bregdetare më tërheqëse të Shqipërisë dhe është
cilësuar si një zonë turistike mjaft e rëndësishme. Fatkeqësisht shqetësim për
këtë zonë ka qenë rritja e nivelit të ndotjes në vitet e fundit për shkak të
aktiviteteve njerëzore. Ai ndodhet në jug të Shqipërisë dhe përfaqëson kufijtë
natyrorë ndërmjet detit Adriatik e Jon. Është një gji gjysmë i mbyllur me një
këmbim të kufizuar të ujërave me detin Adriatik nëpërmjet kanalit hyrës
(Rivaro.et al., 2011). Pas Gjirit të Durrësit, ai është më i madhi dhe
më i rëndësishmi nga pikëpamja gjeografike dhe industriale. Gjiri i Vlorës ka
një sipërfaqe prej 305 km², gjatësi prej 21 km dhe gjerësi 17 km. Ai nis në
veri me Kepin e Triporteve dhe përfundon në perëndim me Kepin e Gjuhëzës.
Hapësira ujore e Gjirit të Vlorës ndahet në dy pjesë të dallueshme:
1. Pjesa
jugore që fillon në jug të Ujit të Ftohtë dhe quhet Gjiri i Dukatit, i cili
është më i ngushtë dhe më i thellë.
2. Pjesa
veriore që quhet Gjiri i Vlorës, i cili paraqitet më i gjerë dhe më i cekët.
Comments
Post a Comment